Ish-ministri i Turizmit, Blendi Klosi, thotë se tregu shqiptar i turizmit “ka nevojë ulëritëse për struktura akomoduese”. Me këto struktura ai tha se nënkuptonte hotelet.
Duke e konsideruar “sukses” fluksin e lëvizjeve të huaja për turizëm në Shqipëri gjatë dy viteve të pandemisë, Klosi tha se Shqipëria ka nevojë për më shumë hotele.
“Mendoj që suksesi ka qenë që ne kemi qenë shumë liberal dhe kjo na bëri sidomos për vendet e rajonit që të kapim një treg të ri dhe këto vendet e largëta, të cilat gjenin te Shqipëria një vend liberal për masat e COVID-it,” – tha fillimisht Klosi duke vlerësuar numrin e turistëve të huaj që pati këtë periudhë në Shqipëri.
Gjatë emisionit “Barometri” në Euronews Albania, Klosi komentoi gjetjet e sondazhit për turizmin, ku 23.2% e të pyeturve u shprehën se i kishin kaluar pushimet në hotele dhe rreth 50% në shtëpi apo dhoma me qira.
Klosi ishte skeptik për shtëpitë me qira, pasi tha se shumica e tyre shërbejnë në të zezë dhe nuk punësojnë njerëz.
“[Shifrat për kërkesa hoteli janë] Këmbanë alarmi që dëshmon se sa shumë kemi nevojë për akomodim, dhe sidomos për hoteleri,” – tha Klosi.
Ish-ministri i Turizmit vlerësoi si në zhvillim të kënaqshëm infrastrukturën e hoteleve me projekte të reja.
“Kërkesa ulëritëse në Shqipëri është shtimi i kapaciteteve akomoduese, natyrisht po bëhet një punë e jashtëzakonshme ka një numër të shtuar të hotelerisë në Shqipëri, por prapë jemi në fillimet e kësaj industrie dhe kemi nevojë ta shtojmë atë,” – tha Klosi.
Ish-ministri tha se Vlora dhe Durrësi kishte pjesën kryesore të hoteleve këtë sezon veror të rezervuar dhe nuk gjendeshin vende. Për këtë ai arsyetoi se nevojiten të tjera investime.
LEXONI GJITHASHTU: