Analisti Aleksandër Çipa, i ftuar në studion e “Ilva Now” tha për z. Lulzim Basha se është një lider i cili pret fatin t’i vijë vetë, pa siguruar fitoren. Për z. Çipa një gjë e tillë është në dëm jo vetëm të opozitës por të të gjithë shoqërisë.
“Z. Basha nuk është investuesi që e ka të padiktueshme fitoren, por mesa duket ecën në logjikën e njeriut që pret t’i mbërrijë fati, të arrijë bingon. Kjo është fatale për shoqërinë”, tha z. Çipa.
Aleksandër Çipa tha se nuk ka një autoritet brenda Partisë Demokratike, autoritet i cili do të krijonte një identitet politik të fortë për partinë.
“Ajo çfarë është në diskutim, që është pjesë e interesit publik për procesin e zgjedhjeve që zhvillohen në PD, i gjithë skepticizmi jonë që jemi jashtë partisë, burojnë nga fakti që nuk lexojmë një autoritet brenda PD-së. Ka një nevojë identifikimi politik të partisë, rikthimi te kauzat e mëdha që formësojnë brendinë dhe përkatësinë në kuptimin më tradicional por edhe modernist të fjalës” u shpreh analisti Çipa.
Ai tha se z. Basha është më i avantazhuari ndër katër kandidatët dhe do ta fitojë, sipas tij, betejën brenda PD-së. Mirëpo shqetësimi se mungon autoriteti në PD do të mbetet ende i gjallë, sipas z.Çipa.
Aleksandër Çipa tha gjithashtu se pas këtyre zgjedhjeve në PD nuk pritet që kandidatët që do humbasin të krijojnë parti të tyre, pasi është e dukshme, për të, që në Shqipëri një metodë e tillë është e pasuksesshme.
“Për mua, duke u nisur nga realiteti politik në Shqipëri, kur ka pasur tentativa për fraksione, kanë dështuar. Këtë drojë e kam më të vogël tani, pasi procesi i 25 prillit e ka çimentuar bipolaritetin politik në Shqipëri”, tha Aleksandër Çipa.