Linda Rama, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare tregoi se që nga dita e parë e bashkëshortit Edi Rama në krye të qeverisë shqiptare, ajo kishte vendosur të refuzonte shumë nga shërbimet shtetërore që i ofroheshin familjes kryeministrore, me dëshirën për të zgjedhur thjeshtësinë ndaj atyre që shihen vëngër nga opinioni publik si privilegje.
Teksa risolli në vëmendje daljen e parë publike si bashkëshortja e Edi Ramës politikan dhe më pas si kryeministër, pritshmërinë e opinionit publik apo paragjykimet e pashmangshme, znj. Rama tha se dilemat se si do të duhej të performonte në krah të bashkëshortit të saj në krye të vendit, morën fund që ditën e parë që ai mori detyrën kur ajo, siç tha, vendosi t’i refuzonte të gjitha shërbimet kryeministrore që i takonin me ligj.
“Unë që në ditën një, për të shmangur pikërisht këtë që thatë ju, këtë “futjen e hundëve”, privilegjet …sapo mu dha rasti refuzova të gjithë ekipin e shërbimit që ishte presupozuar të shërbente si më përpara në familjen e kryeministrit dhe atëherë kam insistuar që ekipi i shërbimit të familjes së kryeministrit të zhvendosej në Kryeministri me bindjen që kryeministri me orë të gjata është aty”, u shpreh znj. Rama.
Aktivistja dhe intelektualja tregoi se Dhoma e Luleve, një mjedis brenda ambienteve të Kryeministrisë, ku mund të konsumohet dreka apo darka është një ide e saj, për të ruajtur mbi të gjitha dinjitetin e institucionit të kryeministrit qoftë edhe në detaje të tilla.
Znj. Rama shprehu keqardhjen për përcaktimin e prerë nga opinioni mediatik, nga ku dhe sqaroi se ka qenë gjithnjë shumë e vëmendshme për të përçuar si duhet mesazhin se statusi i bashkëshortes nuk është gjithnjë i lidhur me privilegjet por dhe me identitetin personal dhe profesional.
Ajo tregoi se vazhdon ta shoqërojë vetë me makinë djalin e saj, Zaho çdo ditë në shkollë, dhe kjo është një nga kënaqësitë më të bukura të ditës nga e cila nuk ka hequr dorë.
Linda Rama zbuloi dhe faktin se nuk ka punonjës sigurie dhe me vetëdije kishte zgjedhur të mos e shoqëronte asnjëherë jashtë vendit bashkëshortin e saj, përveç rasteve kur prezenca e saj në vizitat e tij nevojitej për arsye protokollare.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nga sulmet politike tek thellimi në karrierë, Linda Rama tregon pse ka zgjedhur të qëmtojë mesazhet e saj publike
- Linda Rama: Gratë në politikë duhet të kapërcejnë meritat personale për t’u ngritur në nivelin e misionit
- “Nuk i festojmë fitoret”, këshilla e Linda Ramës për mandatin e tretë të PS-së
- “Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
- Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare