Rusia ka shpallur non-grata një punonjës të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Moskë. Këtë lajm e njofton Ministria e Jashtme e Rusisë.
“Olivera Çausheva-Dimovska, ushtruese detyre e ambasadores së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Federatën Ruse u thirr në Ministrinë Ruse të Punëve të Jashtme më 10 qershor, ku asaj iu dha një shënim që deklaron për non-grata një punonjës së Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Moskë” – thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar duke thënë se “Shpreh keqardhje për vendimin e paarsyeshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, është vetëm hakmarrje politike. Kjo padyshim do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe mes RMV dhe Rusisë”.
Regrets for the unjustified decision of @mfa_russia, merely a retaliatory political decision; this will undoubtedly have negative influence on the bilateral relations between the Republic of North Macedonia and the Russian Federation https://t.co/64sD79WZYE
— Bujar Osmani (@Bujar_O) June 10, 2021
Në deklaratën zyrtare nuk është bërë i ditur emri i diplomatit, por disa media maqedonase raportojnë se diplomati që dyshohet se duhet të largohet nga Moska është Sejfulla Shaqiri. Megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar.
Këto masa nga Rusia janë një kundërpërgjigje ndaj vendimit të palës maqedonase, ku në muajin maj shpalli për non-grata një diplomat nga Ambasada ruse në Shkup.
Lidhur me këtë misioni diplomatik rus në Shkup paralajmëroi se Moska po konsideronte kundërmasa.
Kundërmasat nga ana e rusisë janë nxitur edhe pasi disa shtete të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore, të gjitha anëtare të BE-së dhe NATO-s, kanë dëbuar diplomatë rusë së fundmi.