Qeveria amerikane ka shtuar katër kompani të huaja teknologjike në listen e zezë.
Ky sanksion është ndërmarrë pasi kompanitë kanë zhvilluar dhe pajisur me programe kompjuterike spiunazhi qeveritë e huaja, të cilat janë përdorur për të vënë në shënjestër në mënyrë keqdashëse zyrtarë qeveritarë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave.
Kompanitë janë NSO Group dhe Candiru të Izraelit, Positive Technologies të Rusisë dhe Iniciativa për Sigurinë Kompjuterike të Singaporit PTE. LTD.
Departamenti i Shtetit akuzoi këto katër kompani për “përfshirje në aktivitete që bien ndesh me sigurinë kombëtare ose interesat e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Kompanitë tani do të përballen me kufizime të rënda në eksportimin e produkteve të tyre në SHBA dhe do ta bëjë të vështirë për firmat amerikane të sigurisë kibernetike t’u shesin atyre informacione që mund të jenë të dobishme në zhvillimin e produkteve të tyre.
“Kjo përpjekje ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dixhitale të qytetarëve, luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe zbutjen e mbikëqyrjes së paligjshme” – tha Departamenti i Shtetit.
Një nga kompanitë që është përfshirë në listen e zezë të qeverisë amerikane është ajo izraelite e cila qëndron pas softuerit të diskutueshëm Pegasus.
Programi Pegasus thuhet se është përdorur nga shtete të caktuara për të kontrolluar telefonat e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve.
Asnjë nga kompanitë nuk komentoi për përfshirjen e tyre në listën e zezë.