Gjatë ditëve të fundit ka pasur një fluks prindërish që presin të vizitojnë fëmijët në qendrat shëndetësore dhe në pediatri.
Për shkak të fluksit, qendra shëndetësore numër 8 në Tiranë, e cila së bashku me qendrat numër 6,7 dhe 10, funksionon për 24 orë shërbimi i urgjencës pediatrike.
Çdo ditë në këtë qendër paraqiten rreth 180 pacientë që dyshojnë të jenë prekur me COVID dhe i nënshtrohen testimit.
“Në qendrën tonë kryhen çdo ditë testime. Gjatë ditës së djeshme janë kryer rreth 180 testime nga të cilat pjesa më e madhe kanë rezultuar pozitivë”, u shpreh mjekja Blerta Berberi.
Sipas mjekes Blerta Berberi pjesa më e madhe e testuarëve me COVID janë fëmijë.
“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur një fluks shumë të madh të pacientëve që janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore. Ky fluks ka qenë i njëjtë si për moshat e rritura ashtu dhe për moshën pediatrike”, tha ajo.
Pavarësisht se fluksi është shpërndarë edhe në qendrat shëndetësore, veç urgjencës pediatrike, sërish prindërve u duhet të presin në radhe për disa orë.
“E sollëm për temperaturë, ftohje. E kanë marrë mjekët në vëzhgim”, tha një prind.
Mjekja Berberi thotë se varianti mbizotërues është Omicron.