Flota e re e policisë mundëson monitorimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.
Së bashku me njësinë operacionale të drejtorisë së policisë rrugore, Euronews Albania vrojtoi situatën në një nga akset rrugore më problematike të kryeqytetit.
“Makina ka një aparaturë që identifikon targat dhe shkelje të ndryshme që i monitoron me kamera. Nëse targa nuk duket, e afron. Letra e shkeljeve printohet”, sqaroi polici.
Nëse jeni duke udhëtuar me shpejtësi përtej normave të lejuara, nëse nuk keni vendosur rripin e sigurimit, nëse përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit apo çfarëdo lloj shkelje tjetër të qarkullimit rrugor, tashmë nuk mund të ju shpëtoni kamerave të flotës ose makinës inteligjente.
Për secilën shkelje, masa administrative është e ndryshme. Makina inteligjente dhe radarët automatikë së bashku me 10 makinat e flotës së re, operojnë në të gjitha qytetet e vendit.
Gjatë 40 minutave qëndrim në makinën me aparaturën monitoruese, ajo evidentoi mbi 60 automjete të cilat shkelën rregullat e qarkullimit rrugor.
“Caktohet lokacioni, korsitë dhe shpejtësia e lejuar e aksit, si edhe marzhi i gabimit të pajisjes dhe shpejtësia e lejuar sipas kodit rrugor”, tha polici.
Flota e re e makinave të pajisura me radarë e lexues automatikë të targave është në qarkullim që pas aksidentit të rëndë në rrugën e Kavajës që plagosi çiftin e bashkëshortëve por dhe foshnjën e tyre 3-muajshe.
LEXONI GJITHASHTU: