Besart Kadia, zv.ministër i Financave dhe Arbi Agalliu, deputet i Partisë Demokratike kanë paraqitur optikën e tyre për krizën e çmimeve gjatë diskutimeve në emisionin “RinOn”.
Zv. ministri i Financave, Kadia tha se norma e inflacionit në Shqipëri krahasuar me disa vende të rajonit është i ulët dhe produktet vendase kanë amortizuar rritjen e çmimeve.
Duke komentuar vendimin më të fundit të Maqedonisë së Veriut për të ngrirë rritjen e çmimeve të shportës, Kadia nuk e cilësoi si zgjidhje të problemit.
“Kush do e paguajë? Nëse një produkt e ka koston 2 lekë, shteti thotë mos e rrit më shumë dhe kjo e nxjerr biznesin pa fitim ose me humbje. Ky është transferim i problematikës dhe nuk është zgjidhje”, tha Kadia.
Deputet i PD, Agalliu u shpreh se tregjet ndërkombëtare kanë reflektuar rritje të çmimit pas hapjes së tregjeve dhe rritjes së kërkesës, por qeveris sipas tij duhet të ndërhyjë për të mbajtur konsumatorët por edhe bizneset.
Sipas tij qeveria në këtë situatë nuk po e lehtëson barrën për biznesin por përkundrazi. Ai mori si shembull vendosjen e TVSH-së për bujqësinë dhe akcizës për gazin.
“Praktikat e vendeve të tjera nuk rekomandojnë rritjen e detyrimeve fiskale në periudhë krizash sidomos për ato produkte që presojnë rritje nga tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Agalliu.