Zëvendësministri i Financave, Besart Kadia tha gjatë emisionit RinON në Euronews Albania se kthimi i buxhetit 2022 nga ana e Presidentit Meta nuk mbështetet në asnjë bazë. Sipas tij, buxheti i 2022 ka në vëmendje mbrojtjen sociale dhe zhvillimin, ndaj qasja e kreut të shtetit është më tepër politike sesa ekonomike.
“Për mbështetje sociale shpenzohet 10 për qind e buxhetit. Buxheti ka në balancë zhvillimin dhe mbrojtjen sociale. Rikthimi i presidentit Meta mund të rishihet, por parashikimet e bëra nga FMN dhe BB tregojnë për një rritje ekonomike 4 për qind, që për ekonominë shqiptare janë të arritshme. Ndaj pretendimet e presidentit më duken më tepër një qasje politike sesa politikë ekonomike”, tha zv.ministri.
Për deputetin e PD, Arbi Agalliu në buxhetin 2022 nuk ka një shpërndarje të saktë dhe të ndershme të të ardhurave.
Sipas tij, në buxhet mungon kujdesi ndaj kategorive të caktuara, siç janë pensionistët, ndërsa 52 mln euron që duhet të hidheshin si likuiditet në ekonomi, shkojnë për shpenzime luksi.
“Nuk ka kujdes për pensionistët, që sot do të indeksohen me normë inflacioni, ndërkohë që produktet e shportës janë rritur shumë më shumë. Janë 52 mln euro për shpenzime luksi që duheshin hedhur si likuiditet në treg. Nuk ka asnjë konsultim me grupet e interesit”, u shpreh deputeti demokrat.