Banorët e rrugës ‘5 Maji’ e cilësojnë të njëanshme dhe jo transparente akt-marrëveshjen e ofruar nga bashkia në këmbim të banesave të tyre, të cilat nga sot nisën të shemben.
Klodian Laçi, banor i njësisë 4 në rrugën ‘5 Maji’, tha për emision ‘Sot’ se banesa e tij me hipotekë u shemb këtë të mërkurë dhe duke nisur që sot, ai, bashkëshortja dhe 2 fëmijët nuk kanë ku të strehohen. Ai shpjegoi se arsyeja pse nuk e kishte firmosur akt-marrëveshjen e bashkisë ishte fakti se ajo ishte përpiluar në mënyrë të njëanshme, duke mos iu dhënë mundësinë të jenë palë ndërmjetëse e duke mos ofruar asnjë lloj sigurie.
Të njëjtin qëndrim kishte edhe Gjin Nikolli, banor i të njëjtës lagje, banesa e të cilit është shënuar me kryq për t’u shembur.
”Na kanë përcjellë një shkresë ultimative përmes minibashkisë që duhet firmosur një akt-marrëveshje. Ne kemi marrë një fotokopje dhe jemi konsultuar me avokatë dhe juristë, që na kanë thënë që kjo akt- marrëveshje nuk vlen. Aktmarrëveshje nuk kishe asnjë shifër, asnjë datë, asnjë të dhënë konkrete”, tregoi qytetari.
Bekim Cerri, një tjetër banor i zonës që preket nga projekti i bashkisë, tregoi pse, ashtu si shumica e banorëve të zonës, kishte refuzuar të firmoste aktmarrëveshjen.
“Atë kontratë nuk e firmos dot nëse më parë nuk e dhuron pronën. Banorët janë dakord për zhvillimin e zonës, por duam një marrëveshje të dyanshme. Janë shembur 15 shtëpi sot, shumica nuk kanë nënshkruar akt marrëveshje. Ata që kanë firmosur marrëveshjen nuk jetojnë fare në Shqipëri”, tha ai.