Kultivimi i lëndëve narkotike është një nga veprat penale më të konsumuara në Shqipëri, teksa të përfshirë vitet e fundit janë edhe gratë.
Bukurie Fejzo dhe Erfane Dyrmishi kanë rrëfyer në emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, rreth arrestimit nga policia dhe në pas dënimit të tyre për kultivimin e kanabisit.
Fejzo tha se u arrestua nga policia në momentet që po punonte tokën në fshatin e saj në Zallbastar. Ajo u shpreh se policia ushtroi kontroll në shtëpi ku ndodhet edhe nëna e saj e sëmurë.
“Unë më 29 qershor të vitit 2019, ora 5 e gjysmë e mëngjesit po punoja te ara dhe erdhi policia. Unë jetoj në Zallbastar. Unë jetoja vetëm me nënën, vjen policia më arreston. Kanë qenë vetëm polië burra. Më kanë arrestuar befas. Kishin bërë kontrollin e shtëpisë dhe më thanë ke drogë”, u shpreh Bukuria.
Ajo e ka pranuar veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike teksa shtoi se u deturua ta kryejë këtë për shkak të vështirësive ekonomike. Por, Bukuria nuk ka pranuar akuzën ndaj saj për armëmbajtje pa leje, pasi nuk ka disponuar një të tillë.
Më tej gjatë rrëfimit të saj, ajo u shpreh se farën për mbjelljen e lëndës narkotike e bleu në treg dhe mbolli 7 rrënjë, të cilat nuk arriti t’i tregtonte.
Ndërsa, Erfane Dyrmishi deklaroi se është arrestuar në orët e vona të darkës në shtëpi. Sipas Eranes, ka qenë personi i cili kishte marrë me qira bashkë me nënën e tij një ambient në shtëpinë e saj, personi i cili ia hapi derën policisë dhe i tregoi se ku gjendej kanabisi.
Erfania nuk i ka pranuar akuzat ndaj saj dhe dyshon se ai është personi i cili ka mbjellë kanabisin.
“Në datën 3 shkurt të vitit 2017 jam arrestuar, në orën 9 të darkës. Kam futur një qeraxhi të cilin e mbaja me bukë prej 28 vitesh. Më trokasin te dera dhe më thanë jemi policia e antidrogës. Ai që i kishte futur policët brenda, i kishte treguar vendet ku kishte lëndë narkotike. Nuk kam pranuar akuzat për mbjelljen e drogës, po për faktin që lënda narkotike është gjendur në oborr. Nuk kam pasur dijeni. As që më shkonte në mendje të merresha me këtë punë. Unë kam pasur qiraxhi, por jo të merresha me drogë”, tha ajo.
Bukurie Fejzo është dënuar me 5 vite burg dhe është liruar në vitin 2020, ndërsa Erfane Dyrmishi u lirua në vitin 2019, pasi vuajti dënimin me 3 vjet e 4 muaj.
LEXONI GJITHASHTU