Pasi eksploruan historinë, kulturën dhe plazhet e Vlorës, “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji sjellin në emisionin e radhës të veçantat nga rrethinat e qytetit.
Udhëtimi nis nga Brataj, rreth 45 minuta rrugë me makinë larg qendrës së Vlorës, ku me disa ndalesa vizitohen lumi i Shushicës i njohur ndryshe dhe si lumi i Vlorës, ura e Bratit, më pas fshati Vajzë i poetit Ali Asllani dhe më tej një vizitë te një punues hekuri në qytet.
Lumi Shushicë ose lumi i Vlorës e ka burimin e tij në fshatin Kuç dhe derdhet në lumin Vjosë. Shushica është një vlerë e shtuar për banorët e zonës, sepse ka ujë të pijshëm dhe prej prurjeve të bollshme shfrytëzohet për vaditje.
Lexo: Deti dhe kultura e Vlorës
Ura e Bratit, një monument kulturë që gjendet buzë lumit Shushicë, daton në shekullin e XVI. Një interes të veçantë paraqet ndërtimi i saj me tre harqe dhe sidomos fortësia e materialit përbërës të urës. Prej më se pesë shekuj ajo është funksionale si urë kalimi që lidh dy anët e lumit Shushicë.
Më tutje, në fshatin Vajzë të poetit Ali Asllani “Udhëtarët” njihen me dedikimet ndaj tij si për shembull “Shtegu i Poezive”, pasi në të gjenden të bëra në pirografi poezitë e poetit.
Sa i takon historisë së emrit të fshatit, ka disa hipoteza. Hipoteza e parë tregon se kur është ndarë mali lart, banorët i ka përfaqësuar një vajzë e veshur si mashkull dhe për këtë ka marrë dhe emrin Vajzë.
Lexo: Tepelena e këngëve dhe maleve të egra
Ndërsa e dyta tregon se, në kohët e shkuara, kur janë nisur për në luftë banorët, mes tyre ka qenë dhe një vajzë.
Megjithatë Vlora dhe fshatrat e saj ofrojnë edhe më shumë se deti, lumenjtë dhe urat e bukura. Aty vazhdojnë të ruhen ende traditat dhe zanatet si për shembull punimi i hekurit.
Mjeshtrin e punimit të hekurit, Agim Hysenin “Udhëtarët” e gjejnë në punishten e tij duke punuar një helmetë ilire, për të cilën i është dashur një muaj punë. Ai tregon se zanatin e ka filluar në vitin 1962 si nxënës, por edhe pse tani ai është 73 vjeç, e ka dalë në pension, nuk i ndahet këtij profesioni.
Lexo: Përmeti i luleve dhe kulturës
Në punishte gjenden vepra të shumta që ka punuar dora e tij, disa prej tyre janë Maratonomaku, Hektori e Akili, apo dhe një punimi i tij dhe gruas duke vallëzuar. Fatkeqësisht këto zanate nuk po trashëgohen më dhe Agimi shpreh keqardhjen e tij për këtë.
“Më vjen për të qarë që këto profesione nuk do trashëgohen,” shprehet i mërzitur mjeshtri i punimit të hekurit.
LEXONI GJITHASHTU: