Në tetor të 2017-s në Kuvend u depozitua një projektligj që parashikonte rritjen e masës së dënimeve për drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë aksidente me pasoja në disa rrethana të caktuara. Por këto propozime nuk u morën asnjëherë në konsideratë.
Prej më shumë se 2 vitesh në sirtarët e kuvendit qëndron një draftligj i cilësuar “vrasja rrugore”. Projektligji u depozitua në atë kohë nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në cilësinë e deputetit dhe ende nuk është marrë në shqyrtim.
Në të parashikohen ashpërsime të dënimeve në kodin penal kur në aksident është verifikuar përdorim i pijes alkoolike dhe substancave narkotike dhe nëse drejtuesi i mjetit lëviz me shpejtësi tej normave të lejuara në qendrat e banuara.
Dënime më të ashpra parashikohen gjithashtu edhe kur aksidenti ndodh në kryqëzim dhe semafori është i kuq si dhe në rastet e parakalimit të gabuar pranë vendkalimit të këmbësoreve.
Nuk dihet se për çfarë arsyesh këto propozime për të ndërhyrë në kodin penal sa i takon aksidenteve rrugore nuk janë marrë në konsideratë.
Për këtë Euronews Albania kontaktoi disa prej deputeteve të komisionit të sigurisë kombëtare dhe të komisionit të ligjeve, por nuk mori asnjë përgjigje. Në një postim në rrjetet sociale disa muaj më parë, duke iu referuar humbjes së jetës së një vajze në një aksident, ish-ministri Tahiri u shpreh se propozimi i tij për ‘vrasjen rrugore’, mbeti rrugëve të parlamentit.