Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.
Policia e Kosovës tha se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Aksione policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se me këtë veprim “përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”.
Në videon që shpërndau ai në rrjetet sociale, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Kosova mbyll institucione paralele serbe në disa komuna
- Policia e Kosovës hyn në institucione serbe në Graçanicë