Forcat e armatosura ukrainase po prodhojnë broshura dhe video për të inkurajuar ushtarët koreano-veriorë që të dezertojnë.
Shërbimet e inteligjencës në Kiev nisën nga puna pas publikimit të lajmit se disa mijëra trupa nga vendi aziatik ishin bashkuar me ato ruse në rajonin kufitar të Kurskut.
Fillimisht projekti synonte të ndikonte tek ushtarët rusë që nuk donin të luftonin, por që atëherë qëllimi i tij është zgjeruar.
“Natyrisht, jo të gjithë duan të luftojnë. Ne i njohim mirë kushtet e jetesës në Korenë e Veriut, ndaj dhe shumë prej tyre e shohin këtë si një shans për t’u arratisur dhe për të vajtur në një vend tjetër”, tha Vitalij Matvienko, vullnetar.
Broshurat u tregojnë forcave koreano-veriore se si të dorëzohen, si dhe se çfarë kushtesh i presin në anën tjetër. fletushkat shpërndahen me anë të dronëve dhe përmes predhave.