Partia e Lirisë mbajti këtë të premte një protestë kundër SPAK-ut, ku hodhi akuza të forta për kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se kjo forcë politike nuk po proteston që SPAK të japë drejtësi, por qëllimi është të denoncohet tradhtia që ky organ i akuzës po bën kundër Shqipërisë.
Blushi tha se PL është në një proces për de-sorosifikimin e reformës në drejtësi, e cila mbron korrupsionin qeveritar dhe po ndihmon Partinë Socialiste të marrë mandatin e katërt.
Blushi shtoi gjithashtu që arrestimi i kreut të PL, Ilir Meta është një goditje politike.
“Sot ne jemi këtu në këtë protestë të ligjshme para SPAK, jo për të kërkuar drejtësi, se në striofullën më të sigurt të Ramës ne nuk kërkojmë drejtësi, por për të denoncuar tradhtinë më të lartë që ky institucion duke ecur në rrugën e Esat Toptanit, Edi Ramës dhe George Soros ka bërë kundër interesit kombëtar. Jemi këtu për një mision, historik, patriotik dhe kombëtar për të nisur procesin e de-Sorosifikimit të sistemit të drejtësisë. Ky institucion ka vrarë besimin te drejtësia dhe funksionimi i shtetit ligjor duke u bërë njësh me partinë në pushtet, duke i shërbyer narkoregjimit për t’i garantuar një mandat tjetër 4-vjeçar në kurriz të shqiptarëve. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi,” tha Blushi.
Blushi shtoi gjithashtu se Prokuroria e Posaçme është tubi i oksigjenit për krimet zgjedhore të qeverisë.
“Ne jemi sot këtu se SPAK është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po i jep imunitet korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe Rilindjes. Ne jemi këtu se SPAK-u është sot tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar të Europës. Jemi këtu sepse SPAK është mbrojtësi i krimit elektoral, duke mbyllur dosjet e Dibrës, Shijakut dhe Elbasanit. Edhe Metamorfoza e Shkodrës u hap pasi u grabit bashkia e Shkodrës.”
LEXONI GJITHASHTU:
- Protesta e Partisë së Lirisë: Blindohet SPAK, policia rrethon godinën
- “Jo drejtësi me regji”, nis protesta e Partisë së Lirisë para SPAK