Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për qetësi pas protestave të dhunshme në Hong-Kong.
Ditët e fundit përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë qenë mjaft të ashpra dhe duket sikur nuk asnjë shenjë paqeje.
“Është thelbësore që të gjitha palët të ndërmarrin kufizime”, u shpreh shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini teksa shtoi se çdo përgjigje ndaj zbatimit të ligjit duhet të jetë “proporcionale” dhe duhet të mbështetet në liritë themelore të individit.
Thirrja e diplomates erdhi pasi në qytetin gjysmë autonom ka vijuar dhuna edhe gjatë natës.
Për tri ditë resht protestuesit studentë dhe policia vijojnë të përballen pranë universitetit politeknik.
Protestuesit kanë gjuajtur me shigjeta dhe kanë hedhur bomba molotov drejt policisë, e cila si kundërpërgjigje ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë demonstruesit.
Ngjarjet e kohëve të fundit regjistrojnë një dhunë të paprecedentë, që nga nisja e trazirave 5 muaj më parë.
Udhëheqësi i Hong-Kong, Carrie Lam tha se shpreson që mosmarrëveshja të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe kërkoi që policia të përgjigjet në mënyrë humane.