Banorët e 5 pallateve të dëmtuara nga tërmeti në lagjen nr.5 të qytetit të Durrësit janë ngritur në protestë ditën e sotme.
Protesta po zhvillohet para bashkisë së Durrësit, ku banorët shprehen se ky proces po vijon me standard të dyfishtë.
Një prej banorëve deklaroi se pushteti vendor ka për qëllim që t’i zhvendosë ata në Porto Romano dhe jo në zonën ku kanë pasur banesat.
“Ne jemi banorë të pallatave, që duan të na i marrin pronat tona. Trajtohemi me dy standarde. Na thonë që do na kalojnë në Porto Romano. Ne e kemi pronën këtu, jo në Porto Romano. Nuk na e merr dot njeri pronën. Na kanë thirrur në zyrë, na kanë thënë: Nuk duan ta bëjmë rindërtimin këtu, por në zonën e tjetër. Kjo është një vjedhje. Na kanë ndërperë dhe bonusin”, tha ai.
Ndërsa një tjetër banore u shpreh: “Pallati ynë nuk ka pasur viktima; pallati ynë nuk prishur ende. Ne nuk kemi marrë asnjë sqarim deri tani. Në kërkojmë që të prishet dhe ngrihet sërish pallati aty ku është”.
Banorët theksuan se do të vijojnë me protestat, pasi nuk do të lejojnë që t’u grabitet prona e tyre.
LEXONI GJITHASHTU: