Pjesëtarë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist kanë protestuar të mërkurën para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, për të dërguar në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit.
Bjeshkë Guri, përfaqësuese e organizatës, ka thënë se janë mbledhur para Gjykatës së Apelit për të “kundërshtuar praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili është duke na vërtetuar çdo herë e më shumë se nuk është duke funksionuar për gratë, duke ua pamundësuar çfarëdo lloj drejtësie”.
Ajo ka thënë se vendimi i gjykatës për rastin e Osmanit ka shkaktuar “revoltim tej mase”, dhe rrezikon sigurinë e grave dhe vajzave në Kosovë.
“Nuk mund të lejojmë që rasti i Marigonës të zvarritet në ndërtesat e gjykatave dhe eventualisht t’ua thellojë edhe më tej dhimbjen familjarëve të saj”, ka thënë ajo.
Në gusht të vitit 2023, Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”.
Pjesëmarrësit në protestë janë parë duke mbajtur mbishkrimet “Ne nuk harrojmë”, “Drejtësi për Marigonën”, “Siguri dhe drejtësi për gratë” e tjera.
Më 23 shkurt, Apeli e ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit.
Të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Marigona Osmani ka qenë 18-vjeçare kur është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
LEXONI GJITHASHTU:
- Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit
- Vrasja e Marigona Osmanit, dënohet me burgim të përjetshëm ish-i dashuri