Fermerët kanë bllokuar rrugët në jugperëndim të Spanjës gjatë së martës në serinë e fundit të protestave masive në kuadër të rënies së të ardhurave në sektorin bujqësor të vendit.
Protestat janë organizuar kryesisht në rajonin Ekstremadura pranë kufirit me Portugalinë. Sindikatat tregtare kërkojnë ndërhyrjen e ligjvënësve për të garantuar çmime tregu për frutat dhe perimet, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të sigurojnë jetesën.
Këto protesta po mbahen prej të paktën një jave në këtë rajon dhe gjetkë në Spanjë.
Fermerët janë të zemëruar për shkak të një kombinimi të kostove të larta të prodhimit bujqësor dhe çmimeve të ulëta që ata marrin për prodhimet e tyre.
Kërkesat e BE-së krijojnë një treg të padrejtë
Çmimi për prodhimin e një kilogram portokalli është rreth 0,20 cent deri në 0,22 cent, tha për Euronews Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Bujqësore të Fermerëve të Rinj në Valencia, Juan Salvador Torres.
Megjithatë, për të njëjtin kilogram portokallësh, fermerët fitojnë rreth 0,18 cent deri në 0, 20 cent, çka do të thotë se ata po humbasin më shumë sesa po fitojnë.
“Jemi të varur prej tregut”, tha Torres. “Na detyron të konkurrojmë në disavantazh me vende që janë palë të treta të cilat nuk i plotësojnë kërkesat tona të prodhimit. Nuk mund të ketë një treg të njëjtë në të cilin fermerët e tu kërkojnë shumë më shumë dhe ata jashtë kërkojnë shumë më pak. Kjo nuk është e drejtë dhe ky nuk është reciprocitet”.
Teksa BE-ja po diskuton pakësimin e subvencioneve bujqësore, blloku është fajësuar se ka vendosur kërkesa që do të thotë se fermerët nuk konkurrojnë dot me produkte më të lira jashtë BE-së.