Afati i punimeve për rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit në Vlorë ishte shtatori i këtij viti, por teksa pak ditë na ndajnë nga festat e 28-29 nëntorit, ende punimet s’kanë mbaruar.
Qytetarët e Vlorës e konsiderojnë një projekt të dështuar që në nisje.
“Nuk jemi të angazhuar të ndjekim punimet se lëvizim për punë tona megjithatë kjo bie në sy, për festën e 28 nëntorit nuk janë të gatshme, deri diku që ka qenë keq fare baltë, mirë është. Projekti? Nuk më duket i mirë, është një shesh që duhet të kishte gjallëri, jo me zift,” – u shpreh një qytetar.
“S’është gati se nuk po punohet, gërmo hiç, ço, nuk di si do bëhet, si do festohet? Nuk e di. Projekti? Kur ishte i paprishur ishte më i bukur, tani s’më hyn në sy fare,’ – tha një tjetër.
“Projekti mua nuk më pëlqen, se ky shesh është historik, dhe nuk duhej të transformohej kështu siç u bë, madje ky pallati mos të ish do ishte 100 herë më mirë,” – u shpreh një tjetër qytetar.
Një turist nga Kolumbia që ka ardhur për të vizituar Vlorën shprehet i habitur për punimet në shesh, teksa thekson se në vendlindjen e tij, sheshet me histori ruhen dhe nuk ndryshohen.
Jashtë kamerave, inxhinieri i punimeve në shesh tregoi se problemet me shpronësimet kanë shtyrë afatin e punimeve për në dhjetor.
Ndërkohë që gjatë zbatimit të projektit, është ndryshuar plani disa herë, që nga ngjyra e pllakave që do të përdoren deri tek forma e shatërvanit si shqiponjë.
Projekti i sheshit të Flamurit hasi në kundërshtime të grupeve të ndryshme në Vlorë, kur u zhvilluan edhe një sërë protestash, megjithatë projekti vazhdon i pandryshuar.
LEXONI GJITHASHTU:
- Shoferi godet policin në Vlorë, efektivi përfundon në spital
- Grabitet gjatë natës dyqani me pajisje elektronike në Vlorë