Punëtorët e rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh vijojnë protesta e tyre prej afro 20 ditësh pasi në shtator të vitit që shkoi, rafineria mbylli aktivitetin e saj. Kjo situatë e papritur nxori në rrugë plot 870 punonjës, të cilët nuk kanë marrë akoma rrogat minimale përgjatë katër muajve tetor-nëntor-dhjetor-janar, por edhe disa paga të tjera të prapambetura.
Gazetarja e Euronews Albania, Dorina Halili ka ndjekur nga afër protestën e naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit, të cilët bëjnë thirrje që qytetarët të bashkohen me ta dhe t’i mbështesin në kauzën e tyre.Të ndodhur në këto kushte të vështira, punonjësit e rafinerisë kanë dalë në rrugë për të kërkuar të drejtat, që sipas tyre, janë shkelur dhe dhunuar rëndë nga shoqëritë që kanë administruar rafinerinë në Ballsh.
Gazetarja Dorina Halili raporton nga Ballshi se naftëtarët kërkojnë t’u kalohen rrogat e prapambetura dhe pagat minimale në llogaritë e tyre, si dhe të bëhet i qartë fati i rafinerisë, e cila ka bllokuar aktivitetin e saj që nga shtatori i vitit të shkuar. Kjo nuk është hera e parë që naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë. Ata vazhdimisht janë përballur me padrejtësi në të kaluarën, ndërsa kanë akuzuar shoqëritë për neglizhencë dhe për keqtrajtim.
Punëtorët e rafinerisë hyjnë në grevë urie
Krahas protestave prej 20 ditësh, një pjesë e punëtorëve të rafinerisë së Ballshit kanë hyrë në grevë urie. Euronews Albania ka mësuar se dhjetë punëtorë vijojnë grevën prej shtatë ditësh, ndërsa tre prej tyre janë përballur me probleme shëndetësore, ndërsa sot janë rikthyer sërish pranë kolegëve për të vijuar rezistencën kundër padrejtësive. Në grevë urie kanë hyrë gjithashtu edhe 17 punëtorë të tjerë në fshatin Poçem, në afërsi të Ballshit.
Disa punëtorë vijojnë të punojnë në rafineri
Jo të gjithë punëtorët vijojnë protestën. Euronews Albania ka mësuar se 33 punëtorë aktualisht vijojnë punën pa ndërprerje në rafinerinë e Ballshit, ndërsa as ata akoma nuk janë paguar për punën e kreyer, duke faktuar edhe njëherë se shfrytëzimi ndaj tyre vijon pa ndalim.
Minatorët e Bulqizës u bashkohen në protestë punonjësve të rafinerisë së Ballshit, thirrje dhe pankarta: Punë, pagë dhe perspektivë
Minatorët e Bulqizës kanë udhëtuar kilometra të tëra për t’u bashkuar me punonjësit e rafinerisë së Ballshit. Ata kanë shprehur solidaritet dhe mbështetje ndaj tyre, ndërsa kanë kërkuar që qytetarët të mbështesin minatorët dhe naftëtarët. Me thirrjet duam: “Punë, pagë dhe perspektivë”, protestuesit kanë vijuar marshimin e tyre duke besuar se kauza e ngritur prej tyre do të triumfojë përballë padrejtësive.
Reagimet dhe akuzat e shoqërive
Administratori dhe partneri i Shoqërive “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha, ka reaguar për grevën e punëtorëve në rafinerinë e Ballshit, ku dhe ka hedhur akuza të forta ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania”. Me anë të një letre drejtuar punonjësve të rafinerisë së Ballshit, administratori Hoxha ka renditur arsyet reale, që sipas tij, kanë çuar në mbylljen e veprimtarisë së rafinerisë së naftës në Ballsh. Në letër, administratori i “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” thekson se “Bankers” nuk ka respektuar kontratën për furnizim me 50 mijë tonë naftë bruto/muaj, duke ofruar më pak se gjysmën e saj dhe duke i shkaktuar shoqërisë humbje miliona dollarë.
“Që në fillimet e aktivitetit në Rafinerinë e Ballshit, unë u kam shprehur disa herë problematikën me ‘Bankers Petroleum’, nuk mund të punojmë nëse nuk kemi furnizimin e nevojshëm me naftë bruto. Ju më mirë se unë e dini se ajo rafineri duhet të punojë me të paktën 50 000 tonë/muaj naftë bruto dhe jo me sasitë e ofruara nga ‘Bankers Petroleum’, që asnjëherë nuk e kanë kaluar sasinë prej 20 000 tonë në muaj. Për këtë problematikë, kam informuar edhe organet e shtetit. Nga fillimi i aktivitetit e në vijim kam bërë çdo përpjekje me ‘Bankers’, që të gjejmë një zgjidhje, por nga ata gjithmonë kemi refuzim… refuzim që nuk e kuptoj arsyen pse… Kërkesa jonë është shume e thjeshtë, naftën e nëntokës shqiptare ta shesë te rafineria vendase. U kemi ofruar pagesa parapagim, garanci bankare dhe çdo gjë tjetër për arritjen e qëllimit për furnizim, por përsëri nuk pranojnë që ta shesin naftën në Shqipëri.
Arsyen e dinë vetëm ata se pse refuzojnë. Ka mbi 13 muaj qe ndjek rrugën gjyqësore, ka një vendim gjykate për furnizimin e rafinerisë, por përsëri ata nuk pranojnë të furnizojnë. Ka mbi 15 muaj që i jam drejtuar Autoritetit të Konkurrencës që të ndërhyjë për të dhënë një zgjidhje dhe akoma nuk ka një vendim apo masë prej tyre, për të ndërhyrë dhe dhënë një zgjidhje. Të dashur punëtorë, i gjithë problemi është tek Autoriteti i Konkurrencës, nuk ka ndërmarrë asnjë masë apo vendim për detyrimin e ‘Bankers’, që të furnizojë rafinerinë. Unë dhe stafi im kam informacion që është dikush mbrapa që nuk e lejon Autoritetin të marrë vendim kundër ‘Bankers’. Se kush është, nuk e dimë dhe nuk mund të bëjmë asgjë që të detyrojmë Autoritetin e Konkurrencës të veprojë. Problem tjetër është që një pjesë e administratës shtetërore nuk duan që rafineria të furnizohet me naftë bruto, pasi kanë interesa të ngushta personale që ajo rafineri të mos punojë. Kjo është një arsye tjetër për ndaljen e rafinerisë”, thuhet në letër.
Shoqëria “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA thotë se rafineria ka ndaluar punën në shtator, dhe për aq kohë sa ka punuar ka shlyer të gjithë detyrimet ndaj shtetit, por edhe ndaj punëtorëve të rafinerisë së Ballshit.
“Rafineria ka ndalur punën në fund të shtatorit dhe për aq kohë sa ka punuar, ajo ka shlyer të gjitha pagat në rregull, ka paguar taksat, sigurimet dhe çdo gjë tjetër, ndryshe nga sa po akuzohet tashmë, për aq kohë sa ajo ka qenë në punë ka shlyer çdo detyrim ndaj jush si punonjës, organeve shtetërore dhe palëve të treta, duke theksuar përsëri se ajo ishte me humbje të vazhdueshme, si rrjedhojë e mosfurnizimit nga ‘Bankers”, thuhet në letrën e administratorit të “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha.
Por, pretendimet e amdinistratorit të “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” janë hedhur poshtë nga “Bankers Petroleum Albania”. Me anë të një njoftimi për shtyp, Bankers Petroleum Albania thekson se i mirëkupton shqetësimet e punonjësve të rafinerisë, por shton se kjo situatë nuk është shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e saj. Mes tjerash, Bankers bën me dije se ka ngritur padi në Gjykatën e Tiranës për shpifje bazuar në deklaratat e rreme, që sipas saj, janë bërë nga përfaqësuesit e “Tosk Energy & Bylis Energy” në të kaluarën.
“Bankers Petroleum Albania është informuar nga media se pas protestave dhe grevës së urisë nga punonjësit e rafinerisë Ballsh, përfaqësuesi ligjor i Tosk Energy ka lëshuar një deklaratë publike duke akuzuar përsëri Bankers për situatën e krijuar. Bankers mirëkupton shqetësimet e punonjësve, megjithatë ne i hedhim poshtë pretendimet e përfaqësuesit ligjor të Tosk Energy i cili vazhdon të fajësojë Bankers për “dështimet” e tyre.
Bankers Petroleum Albania tashmë ka ngritur padi në Gjykatën e Tiranës për shpifje bazuar në deklaratat e rreme të bëra nga përfaqësuesit e Tosk Energy & Bylis Energy në të kaluarën. Ne i qëndrojmë fort deklaratave tona të mëparshme të cilat bazohen në fakte të vërteta dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues me çdo hetim në lidhje me veprimtarinë tonë, përfshirë edhe atë nga Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës. Bankers ka treguar gjithmonë ndër vite se ka respektuar kontratat dhe angazhimet e saj dhe kjo është arsyeja pse është një nga kompanitë më të suksesshme në vend”-thuhet mes tjerash në reagimin e “Bankers”.