Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se ka “shumë të vdekur” nga një sulm rus me raketa pranë Chernihivit. Ai ka akuzuar Rusinë për një “përpjekje të qëllimshme dhe kriminale për të vrarë sa më shumë ukrainas”.
Zelenski shtoi gjithashtu se ka “sulme të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet e Ukrainës qendrore dhe Donbasi është shkatërruar plotësisht”.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të nënshkruajë një paketë ndihme urgjente prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërsa ai vetë është në Korenë e Jugut, thotë një zyrtar. Paketa u miratua nga Senati i SHBA-së të enjten. Administrata Biden njoftoi gjithashtu një paketë tjetër sigurie prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se ai diskutoi mënyrat për të “zhbllokuar” eksportet e ushqimit ukrainas me homologen e tij në Mbretërinë e Bashkuar, Sekretaren e Jashtme Liz Truss. Bllokada ndaj eksporteve të Ukrainës u diskutua gjithashtu nga Zelenski dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson gjatë një telefonate të enjten.
Dështimi për të hapur portet e mbyllura në Ukrainë për të transportuar grurë do të sjellë miliona njerëz në prag të urisë, sipas Programit Botëror të Ushqimit.
Ndërsa qindra ushtarë ukrainas u larguan nga uzina Azovstal në Mariupol këtë javë, ka të ngjarë të ketë ende qindra brenda kompleksit të rrethuar dhe duket se këtu përfshihen edhe disa komandantë të lartë.
Udhëheqësit e Suedisë dhe Finlandës u takuan me Presidentin e SHBA Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë pasi ata dorëzuan kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO të mërkurën. Administrata Biden do t’i paraqesë raporte Kongresit Amerikan mbi aplikimet. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëri pohoi se vendi i tij “do t’i thotë jo” hyrjes.
LEXONI GJITHASHTU: