Ukraina thotë se forcat e saj po durojnë granatimet intensive ruse në qytetin lindor të Lysychansk, por mohon pretendimet se janë të rrethuar.
Bëhet fjalë për qytetin e fundit të mbajtur nga Ukraina në Luhansk, pjesë e rajonit industrial të Donbasit. Rusia pushtoi qytetin e afërt të Severodonetsk muajin e kaluar.
“Ne s’gjejmë kohë për të shuar zjarret e mëdha në Lysychansk,” tha guvernatori i Luhansk, Serhiy Haidai.
Rusia gjithashtu ka gjuajtur më shumë raketa në qytete në veri dhe jug.
Binarët hekurudhor dhe linjat elektrike në qytetin verior të Kharkivit u dëmtuan në një seri sulmesh. Nuk raportohet për viktima.
Qyteti jugor i Mykolaiv – në një rrugë kyçe për në qytetin port të Odesa – u trondit nga disa shpërthime.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se forcat e saj ajrore kishin shkatërruar pesë poste komanduese të Ukrainës dhe disa depo municionesh, por ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Shpërthimet erdhën një ditë pasi rusët vranë më shumë se 20 njerëz në një sulm me raketa në një bllok banesash pranë Odesës.
Rusia po përqendron ofensivën e saj tokësore në Donbas dhe guvernatori Haidai tha se zjarri i artilerisë po godiste Lysychansk nga disa drejtime.
Por një zëdhënës i Gardës Kombëtare të Ukrainës mohoi pretendimet e separatistëve të Luhansk të mbështetur nga Rusia se ata kishin rrethuar qytetin.