English

Qendra rehabilitimi për priftërinjtë pedofilë: Si po përpiqet Vatikani të “shërojë” abuzuesit e fëmijëve

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

“Jemi si një garazh, nuk jemi pikë grumbullimi hekurash. Ata që duan të hedhin makinën në plehra, nuk kanë nevojë të vijnë te ne”.

- Advertisement -

Kështu e ka përshkruar dhjaku dhe psikoterapisti Marco Ermes Luparia qendrën e tij të rehabilitimit, e cila i ka çelur dyert priftërinjve që vuajnë nga çrregullime mendore dhe të karakterit – ku hyn dhe pedofilia.

Ekipi i tij prej pesë personash, me qendër në Romë,  i ka mirëpritur kishtarët prej  më shumë se 20 vitesh. Në 15 vitet e fundit në Italia, rreth 150 priftërinj janë dënuar për raste abuzimi seksual. Dhjetorin e shkuar, Papa Françesk hoqi sekretin papal për çështjet e abuzimeve seksuale.

John Joseph Kennedy, nga Kongregacioni për Doktrinën e Fesë, tha se në vitin 2019 kishte me mijëra raportime të rasteve për abuzime seksuale nga Kisha në mbarë boten.

Çfarë ndodh kur një prift pedofil është në pritje të gjyqit ndaj tij?

Euronews raporton rreth qendrave të rehabilitimit të Kishave dhe polemikat përreth tyre.

Si funksionon qendra e rehabilitimit për priftërinjtë?

Francesco Zanardi, themeluesi i rrjetit L’Abuso (e përkthyer si Abuzimi) i cili i ofron mbështetje viktimave të abuzimeve seksuale nga Kisha në Itali, thotë se ekzistojnë  24 qendra rehabilitimi të tilla.

Në 99 për qind të rasteve, kur priftërinjtë kanë kryer abuzime apo janë në arrest shtëpie, ata shkojnë në këto vende,” tha Zanardi.

Më i vjetri është ai i “Venturini Fathers” (e përkthyer si Etërit Venturini) në Trento, pastaj është Divino Amore (Dashuria Hyjnore) në Romë me një aktivitet prej 25 vitesh.

Sipas Luparia “rastet e kanë gjenezën nga dramat personale, të cilat kanë sjellë një tjetër, duke ndikuar kështu mbi personin e abuzuar”.

Terapia gjithashtu synon të garantojë “minimumin e sigurisë që krimi nuk do të ndodhë më”, thotë Luparia.  

Rehabilitimi, sipas filozofisë së këtyre qendrave, mund të zgjasë përjetë dhe kërkon izolim të plotë nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Ekipi i qendrës “Divino Amore” përbëhet nga 5 psikoterapistë, të bërë bashkë nga “besnikëria ndaj ungjillit, e cila për ne është një vlerë e panegociueshme”, tha Luparia.

Në qendër nuk ka vetëm priftërinj por edhe klerikë, fetarë dhe misionarë.

“Ata vinë vetë tek ne, ose pas një dekreti nga peshkopi, më pas është edhe mundësia e arrestit shtëpiak. Ne kemi një terapi të plotë, e cila zgjat vite me radhë dhe sigurisht që jo vetëm dhjetë muaj” tha dhjaku.

“Çfarë e çon një person për tu sjellë në atë mënyrë. Po mundohemi të identifikojmë pikën kryesore të zhvillimit psikoseksual tek të rriturit”, shtoi më tej Luparia.

“Ashtu si me të alkoolizuarit, këtu bëhet fjalë për një çrregullim që ka nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme,” shpjegoi psikoterapisti.

“Rezultatet e terapisë sonë, pa dashur ta ekzagjeroj, janë të mira. Por vetëm kur ato vijnë me masa shumë kufizuese në jetët e këtyre njerëzve”.

A mund të shërohet pedofilia?

Maurizio Marasco është një mjek psikiatër dhe ish pedagog i Psikopatologjisë Ligjore dhe Kriminologjisë. Ai ka punuar edhe si ekspert në gjykatë për çështjet e abuzimeve seksuale.

“Nga pikëpamja akademike, pedofilia nuk klasifikohet si patologji. Pra, nuk është sëmundje, por një anomali e karakterit seksual që mbetet e qëndrueshme në pjesën më të madhe të kohës. Për këtë arsye, nuk ka një terapi të mirëfilltë me mjete farmaceutike”.

“Ndonjëherë priftërinjtë e kuptojnë se kanë kryer një krim shumë të rëndë dhe e pranojnë dënimin, por kjo nuk garanton që ata nuk do të abuzojnë sërish. Kam njohur njerëz që janë arrestuar, burgosur dhe më pas dënuar në programe rehabilitimi, por pas disa vitesh ata kanë abuzuar sërish”, shtoi Marasco.

Nëse prifti shkon në burg, seancat e terapisë nuk vazhdojnë më: shteti nuk e financon më terapinë.

Çfarë ndodh pas burgosjes?

Deri më sot, as shteti italian e as kisha nuk i ndjek më ata që largohen nga qelitë pasi kanë kryer dënimin për abuzim seksual ndaj fëmijëve. Edhe pse ka përjashtime, praktika qëndron e limituar për shkak të mungesës së fondeve.

“Shumicën e kohës, këta priftërinj bëhen të pastrehë pasi lirohen”, tregon Luparia.

“Ne përpiqemi që ta vazhdojmë terapinë edhe më pas. Ka një numër të madh priftërinjsh që kanë kryer terapinë pranë nesh dhe që nuk e ushtrojnë më këtë detyrë: ëndrra jonë për ta është hapja e një konvente që t’i lejojë ata të jetojnë një jetë me dinjitet”.

“Terroristët, vrasësit, të gjithë kanë të drejtë të kenë një jetë të denjë. Pse mos ta kenë këtë të drejtë priftërinjtë pedofilë?” pyet Luparia.  

Në burgun “Bolate” të Milanos, Qendra Italiane për Promovimin e Ndërmjetësimit ka vënë në zbatim një projekt që nga viti 2015 për të burgosurit e dënuar për krime seksuale kundër grave dhe të miturve.

Që nga 2015-a, më shumë se 300 të burgosur kanë marrë pjesë në këtë projekt në mënyrë vullnetare, prej të cilëve vetëm 11 kanë abuzuar sërish pas daljes së tyre.

Po viktimat?

Sipas disa grupeve në mbështetje të viktimave, ata janë krejtësisht të harruar nga shteti – nuk ka pension invaliditeti apo mbështetje psikologjike për ta në Itali.

“Ne kemi nevojë për bashkëpunimin e shtetit, përveç Vatikanit” thotë Zanardi.

Në mënyrë paradoksale, kisha ka krijuar këto institucione për priftërinjtë, por nuk ka institucione të tilla shtetërore për viktimat, shtoi Zanardi.

Traktati i Lanzarotit nga Këshilli i Europës, i cili lufton abuzimet seksuale ndaj të miturve, parashikon  një pension invaliditeti për viktimat dhe një certifikatë anti-pedofilie për kategoritë e punonjësve që janë më tepër të ekspozuar ndaj të miturve, si për shembull vullnetarët. Por, këto masa nuk ekzistojnë në Itali”.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?