Shumë qytetarë italianë kanë vendosur t’i rikthehen normalitetit pavarësisht situatës nga coronavirus. Disa prej tyre sfiduan frikën për t’iu rikthyer përditshmërisë duke ngrënë mëngjes në baret e preferuara të Milanos. Të tjerë kanë vendosur t’u qëndrojnë larg grupeve të mëdha të njerëzve. Në qendër, disa qytetarë apo edhe turiste mbajnë veshur maska mbrojtëse.
Qytetarë të shumtë në qendrën financiare të Italisë kanë zgjedhur të punojnë nga shtëpia. Por kur shkollat janë të mbyllura rrugët janë më të qeta. “Sigurisht maska nuk mund të zgjidhë problemin por unë e mbaj për më shumë siguri”, shprehet një qytetar.
“Duhet të jemi të qetë, nuk ka arsye të frikësohemi. E vetmja këshillë që mund të jap si mjeke është se njerëzit që janë më të rrezikuar, më të moshuarit apo njerëzit me probleme të tjera mjekësore, si për shembull me sëmundje kancerogjene, apo patologji të tjera duhet të evitojnë daljet. Të tjerët thjesht duhet ndjekin udhëzimet e qeverisë. Për pjesën tjetër ne nuk duhet të vrapojmë në market të blejmë gjëra, ne nuk do të blejmë maska për 100 euro, nuk do të blejmë dezinfektues për 400 euro. Ne duhet të qëndrojmë të qetë”, thotë Elisabetta Jacona, mjeke.
Edhe të tjerë qytetarë janë të vendosur të mposhtin frikën. “Ne nuk duhet të fshihemi pas problemit me coronavirus. Megjithatë njerëzit janë të frikësuar por ne duhet të kuptojmë sesi të mposhtim frikën dhe të mos biem në panik”, tha një banor.
Edhe Papa Francesku nga sheshi Shën Pjetër jep mesazhe qetësie. Edhe të pranishmit e sfidojnë frikën dhe nuk kanë munguar në meshën e kësaj të mërkure. Disa me maska mbrojtëse të tjerë jo ata janë aty me besim për të dëgjuar Atin e Shenjtë i cili u shpreh se është pranë të gjithë të infektuarve, personelit shëndetësor dhe autoriteteve të cilët po përballen me këtë situatë.