Në momentin kur Evropa është duke u përballuar me një rritje të numrit të të infektuarve nga coronavirus, në Kinë duket se jeta po i kthehet normalitetit. Edhe shifrat flasin për një rënie të numrit të të infektuarve, që nga data 21 janar, Kina këtë të martë ka raportuar për vetëm 19 raste të reja ndërsa më parë shifrat arrinin në qindra. Të dhënat e fundit tregojnë se 1.297 pacientë janë larguar tashmë nga spitali.
Dhe për të treguar se situata po merret në kontroll pikërisht në Wuhan në epiqendrën e virusit aty ku nisi gjithçka ishte edhe presidenti kinez Xi Jinping vizita kjo e parë pas shpërthimit të covid-19.
Presidenti u shfaq në televizionin shtetëror teksa inspektonte në spitalet dhe qendrat e vullnetarëve madje duke përshëndetur edhe pacientët.
Për shumë analistë vizita e Xi Jinping në Wuhan ishte një lëvizje për të sinjalizuar se “shpërthimi i virusit ka përfunduar në Kinë”, duke pasur parasysh rënien e vazhdueshme të rasteve të reja.
Autoritetet filluan të heqin disa kufizime në provincën ku ndodhet Wuhan ku këtë të martë u raportua për vetëm 17 të infektuar. Një ditë më parë u raportua se edhe dy spitalet e ndërtuar për 15 ditë për të përballuar emergjencën janë çmontuar pasi nuk janë më të nevojshëm.