Qeveria dhe Bashkia e Tiranës janë tërhequr nga plani për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar përmes skemës Partneritet Publik-Privat. Në një njoftim të Bashkisë Tiranë thuhet se, do t’i kërkohet Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre me fonde publike.
Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës në prill 2019, ngritën një komision për negocimin e kontratës për realizimin e planit. Por, pas negociatave, nuk është arritur dakordësia për të lidhur kontratë.
“Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”, thuhet në komunikatën e Bashkisë Tiranë.
Për këtë arsye, tashmë Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet me fondet e vetë shtetit. Sipas asaj që deklarohet nga Bashkia e Tiranës, puna për ndërtimin e godinës do të nisë brenda këtij viti.
“Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike. Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë”, përfundon komunikata.
Ndërkohë në një reagim Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se, firma private nuk i përgjigjej dot kërkesës për punime të shpejta në kohë dhe disa kushteve teknike.
“Komuniteti i artistëve jo-militantë kishte më shumë kërkesa teknike & kërkonte kalendar më të shpejtë punimesh se ç’ishte në gjendje të ofronte privati. Në këto kushte, qeveria shqiptare dhe Bashkia Tiranë do ta ndërtojnë vetë Teatrin e Ri- më shpejt e me gjithë teknologjitë extra për skenën”, shprehet Veliaj.
Komuniteti i artisteve jo-militante kishte me shume kerkesa teknike & kerkonte kalendar me te shpejte punimesh se ç’ishte ne gjendje te ofronte privati.
Ne keto kushte, @AlbGov & @BashkiaTirane do ta ndertojne vete @TeatriRi – me shpejt e me gjithe teknologjite extra per skenen! pic.twitter.com/KUPcfnq5Mz
— Erion Veliaj ?♂️?⚽️?? (@erionveliaj) February 26, 2020
Një tërheqje e tillë vjen pas shumë muajve rezistencë nga artistët dhe shoqëria civile që kundërshtonin shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Në komunikatën për mediat të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, nuk bëhet e ditur nëse godina e re do të ndërtohet në të njëjtin vend apo është tërhequr dhe plani për shembjen.
Me anë të një deklarate të bërë në rrjetet sociale, “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, një grupim aktivistësht dhe artistësh që kanë protestuar prej kohësh, kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, kanë reaguar duke u shprehur se Bashkia e Tiranës mbyll me turp historinë e “ligjit special” me të cilin kërkohej të grabitej trualli publik e privat përreth Teatrit Kombëtar.
“Ky ligj, i shkruar apostafat për një truall të vetëm dhe për një firmë të vetme, ishte një çmenduri ligjore që shkelte jo vetëm Kushtetutën e vendit, por edhe të gjithë parimet e shtetit ligjor në një vend demokratik”, shkruan “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”.