Paradite ministër, pasdite në terren. 16 nga 17 ministrat i janë përveshur fushatës elektorale për zgjedhjet e pranverës.
Përveç Majlinda Dhukës, Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores gjithë të tjerët janë kërkim të votave për Partinë Socialiste.
Në qarkun e Tiranës është përqendruar numri më i madh i socialistëve me kostum ministri.
I fundit që iu bashkua 7-ës është Ervin Hoxha, Ministri i Brendshëm.
Nën drejtimin politik të ministres së arsimit Ogerta Manastirliu ata do të jenë përgjegjësit e humbjes ose shijuesit e fitores në pesë njësi administrative të Tiranës.
Ata janë Ervin Hoxha, Adea Pirdeni, Blendi Gonxhja, Albana Koçiu, Delina Ibrahimaj dhe Igli Hasani.
Dy ministra për qarkun e Vlorës, Fierit dhe Elbasanit.
Vlora u përforcua me Pirro Vëngun ndërkohë që Anila Denaj-n e gjeti aty. Pas marrjes së drejtimit politik të Fierit në ekipin e saj Belinda Balluku mori edhe Petrit Malaj, Ministrin për Financat. Elbasanit të drejtuar politikisht nga Arbjan Mazniku iu bashkua Bora Muzhaqi ministrja për rininë dhe fëmijët.
Të vetëm me detyrë qeveritare janë i drejtësisë Ulsi Manja në Lezhë dhe e turizmit e mjedisit Mirela Kumbaro në Gjirokastër.
Qarku më i madh, ai i diasporës udhëhiqet nga Taulant Balla, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ky angazhim i deritanishëm i ministrave pritet të përmbysë edhe listën e deputetëve të dalë nga qarku i Tiranës në parlamentaret e 2021-it.
Pas thuajse katër vitesh dhe për shkak të detyrave në qarqe të tjera të ikurit janë Belinda Balluku, Ulsi Manja dhe Eduard Shalsi.
Nëse i qëndrojmë deklaratës së Edi Ramës që lista e sigurtë do të mbushet me të rinjtë ose me ata me një mandat deputeti, në epërsi janë Ervin Hoxha, Adea Pirdeni, Igli Hasani dhe Blendi Gonxhja.
Gjithë të tjerët, janë kandidatë të mundshëm për tu renditur jashtë zonës së sigurtë, përjashtim bën Luljeta Bozo që me gjasë kontributin modest në politik e mbyll në 11 maj. I vetmi nga kabineti qeveritar pa një zone zgjedhore është i pari i qeverisë, Edi Rama, ai që mban përgjegjësinë e humbjes apo meritën e fitores.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama dhe Koçiu në Poliklinikën e re në Shkodër: Përfitojnë 200 mijë qytetarë
- “Drejtësia foli me prova”, Rama: Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur