Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.
Kabineti i kryeministrit Albin Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.
“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.
Nga kjo rritje do të përfitojnë familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe viktimat civile.
Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimat e dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.
Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.
Kjo është rritja e parë në 10 vjetët e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014, tha ai.
Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi ministri Murati në një konferencë për media.
LEXONI GJITHASHTU:
- Zyrtari amerikan Richard Verma sot në Kosovë, në thelb dialogu me Serbinë
- KQZ miraton fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë