Mbi 14 mijë qytetarë kanë aplikuar deri tani on-line për rindërtimin e banesave pranë zyrave të ngritura në bashkitë dhe njësitë administrative të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Euronews Albania ndoqi nga afër këtë proces në Kombinat dhe Vorë.
Qytetarët asistohen nga punonjës të trajnuar për platformën online të rindërtimit dhe procesi nuk zgjat me shume se 10 minuta.
“Kam paraqitur certifikatën e shtëpisë, një fotokopje të kartës së identitetit dhe një certifikatë familjare. Vijmë marrim një numër protokolli, pastaj caktojnë një datë dhe mbas asaj ne vijmë aplikojmë online”, tregon një banore e prekur nga tërmeti.
Në njësinë administrative numër 6 janë ngritur dy zyra pasi numri i qytetarëve që kanë ardhur për të aplikuar për dëmet nga tërmeti ka qenë i lartë. Në fund të procesit të aplikimit, qytetarët marrin me vete formularin online të printuar.
“Deri më sot kemi rreth 1500 e ca aplikantë, nga dita në ditë kemi një numër që varion në rritje e sipër. Kategoritë janë të ndara sipas programeve, që janë programoi i ristrehimit Rts4 dhe Rts5, grandi për rindërtimin dhe grandi për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga Ds1, Ds2 dhe Ds3”, shprehet Eglisjana Laza, nga shërbimi social.
Ndërkohë në Vorë, rreth 100 persona aplikojnë çdo ditë. Qytetarët, banesat e të cilëve janë klasifikuar Ds1, Ds2, Ds3 të pabanueshme janë njoftuar se do të aplikojnë në një moment të dytë.
“Ds1, ds2 dhe ds3 nuk kemi ku t’i fusim, pasi do të thotë se ka dëme më shumë sesa Ds1 që është aplikimi online në sistem. Kemi folur me Institutin e Ndërtimit dhe me Ministrinë e Rindërtimi, po presim një përgjigje, se ku t’i adresojmë për më mirë”, tregon Besjana Subashi, person i trajtuar për aplikime online. Aplikimet online për dëmet nga tërmeti do të jenë të hapura deri në fund të këtij muaji.
Gjithashtu mund të lexoni: Aplikimet online për dëmet e tërmetit, banorët të pakënaqur me vlerësimin
Sigurohen mbi 1.1 miliardë euro për rimëkëmbjen, tani vjen implementimi