Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, doli sot para Dhomave të Specializuara në Gjykatën e Hagës, ku dhe iu komunikuan akuzat mbi rolin që ka pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht, gjykatësi i procedurës paraprake në seancën e parë në Dhomat e Specializuara iu drejtua z. Veseli nëse i dëgjoi apo jo akuzat, ndërsa ish-drejtuesi i PDK-së foli shkurt duke artikuluar këto fjalë: “I nderuar gjykatës i dëgjova”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Kadri Veseli deklaroi me bindje të plotë para gjykatësit të procedurës paraprake se është i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzave.
“Faleminderit i nderuar gjykatës! I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës. Faleminderit”, tha ai.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson kërkoi që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi deri në kohën kur të fillojë procesi gjykues ndaj tij. Ai u shpreh se z. Veseli duhet të prezumohet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
“Dua të kujtoj që Veseli duhet të prezumohet i pafajshëm për të gjitha aktakuzat dhe për të gjitha qëllimet kur të vijojë çështja”, tha avokati.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.
Ish-drejtuesi lartë të UÇK-së, Kadri Veseli akuzohet për krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe krime kundër njerëzimit, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Një ditë më parë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, hodhën poshtë akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special. Ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së e deklaruan veten jo-fajtorë për të gjitha akuzat e shqiptuara ndaj tyre.
“Aktakuza është e krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht. E përsëris: akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave dhe i cilësoj si të paqëndrueshme. Faleminderit!”, theksoi Thaçi.
Lexoni gjithashtu:
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kundër akuzave: I hedh poshtë të gjitha