Mungesa e forcës së punës në Serbi ka krijuar shanse për punësimin e punëtorëve të huaj, kryesisht në sektorin e turizmit.
Në malin Zlatibor, në jug-perëndim të Serbisë, një numër i konsiderueshëm të huajsh janë punësuar në disa nga hotelet kryesore të zonës.
Sandra Mena po kërkonte një jetë më të mirë dhe ka udhëtuar nga Kuba në Serbi, ku tashmë ajo është e punësuar si shërbyese në një kompleks turistik në malin Zlabitor.
“Edhe pse kisha dyshime, pasi nuk e dija ç’më priste, mund të them se më pëlqen gjithçka këtu në Zlatibor. Njerëzit janë të sjellshëm, na kanë pranuar dhe kushtet e punës janë të mira”, tha Sandra Mena Aresnibia, shtetase kubaneze në Serbi.
Sandra thotë se është e kënaqur, po ashtu edhe punëdhënësit e saj. Shumë hotele në Zlatibor, ku gama e komoditeteve turistike bëhet gjithnjë e më e gjerë, po hasin mungesën e krahut të punës, ku e vetmja barrierë për të huajt është gjuha.
“Jemi me fat që kemi punonjës nga Kuba, që kanë mentalitet të ngjashëm, ndaj nuk kemi pasur probleme. Është me rëndësi të themi se ata janë mëse të kualifikuar për këto punë, pasi kanë punuar në pozicione të ndryshme. Gjuha është barriera e vetme që po i pengon”, tha menaxheri, Lazar Marinkoviç.
Gjatë pandemisë së COVID-19, disa nga punëtorët gjetën punë të tjera, ndërsa disa udhëtuan drejt vendeve të tjera në rajon, kjo është arsyeja pse hotelet e mëdha kanë nisur të shqyrtojnë punësimin e të huajve.
“Në ndërtim është e qartë se disa nga punëtorët merren nga vendet fqinje. Flitet gjithnjë e më shumë për marrjen e punëtorëve nga Lindja e Mesme, Filipinet, India dhe Nepali. Jemi të sigurt se kjo praktikë do të funksionojë edhe këtu. Për momentin neve nuk na duhen dhe nuk kemi marrë në hotelin tonë, por njësoj si të tjerët, edhe ne në një moment të caktuar do t’i punësojmë”, tha pronari i hotelit, Ivan Vitoroviç.
Disa nga hotelet arrijnë të plotësojnë mungesën e krahut të punës duke marrë të sapodiplomuar, për t’u ofruar pagën e parë.
“Për shembull, vitin e kaluar ne patëm rreth 20 studentë dhe të rinj të diplomuar që bartën sezonin turistik mbi shpatulla. Kjo është gjë positive, por nga ana tjetër jam i sigurt se herët a vonë do të detyrohemi të punësojmë punëtorë të huaj. Sidoqoftë, nuk besoj se mund t’i përgjigjemi të gjitha nevojave të mysafirëve tanë, pasi shumica e punëtorëve vijnë nga Azia”, tha pronari i hotelit, Ivan Vitoroviç.
Të gjithë menaxherët e hoteleve janë optimistë se turizmi do të rikuperohet pas dy viteve të pandemisë dhe do të krijojë mundësi për vende të reja pune, shumë prej të cilave do të zihen nga të huajt.
LEXONI GJITHASHTU: