“Hape derën, mos prit që unë do të lirohem”, i kishte thënë Nasim Haradinaj nga Haga, bashkëshortes së tij në Gllogjan.
Familjarët e ish-drejtuesve të organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës e quajnë të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale që i dënoi me nga 4 vite e gjysmë burg Haradinajn dhe Gucatin.
“Për mua edhe për Nasimin ka qenë e pritshme, se prej ditës të parë kur është marrë Nasimi, kur është kidnapuar, ka qenë e padrejtë. Po të kishte ndodhur tjetra, do të isha befasuar. Këtu po tregon se nuk ka aspak drejtësi në atë gjykatë nuk ka”, u shpreh Gjejlone Haradinaj.
Vajza e Hysni Gucatit, Ariana shpreson për një vendim tjetër.
“Ne kemi shpresuar që ky gjykim të jetë i drejtë, por që nga fillimi është ditur që janë marrë padrejtësisht dhe nuk është hera e parë që ndaj UÇK-së bëhen padrejtësi të tilla prandaj me këtë gjykim thjesht Gjykata Speciale ka treguar edhe njëherë qëllimet dhe vendimet e saj të njëanshme…Nuk kemi biseduar ende me avokatët. Sigurisht prindi ka biseduar. Ne presim që brenda 15 ditëve të ardhshme të bëhet ankesa dhe të merret vendimi tjetër”, u shpreh Ariana Gucati, vajza e Hysni Gucatit.
Mes emocioneve, Gjejlone Haradinaj thotë se është e irrituar me deklaratën e prokurorit. i cili foli në emër të popullit.
“Populli Nasimin nuk e dënon, e dënon vetëm Serbia edhe ata që bashkëpunojnë me Serbinë. Ajo ka qenë për mua shumë e rëndë. Që ata e dënojnë me katër vjet e gjysmë Nasimin, mua më është dukur si e ka dënuar Serbia. Nga Serbia nuk presim asgjë as unë, as Nasimi”, u shpreh ajo.
Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë dënuar me 4 vite e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Ata janë shpallur fajtor për akuza që kanë të bëjnë me pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
LEXONI GJITHASHTU: