Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, njëkohësisht kreu i ekipit negociator të Beogradit, Petar Petkoviç tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të detyrojë Kosovën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Sipas tij, nëse nuk përmbushen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, mund të kenë pasoja të pallogaritshme, shkruan Tanjug.
Ai shtoi se Kosova po ndërmarr hapa në drejtim të destabilizimit, në vend që të bëjë përpjekje për normalizim të marrëdhënieve.
Petkoviç theksoi se Beogradi do të reagojë ndaj sjelljeve të tilla në skenën ndërkombëtare.
Reagimi i Petkoviç vjen pasi qeveria e Kosovës vendosi për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.
Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022.
LEXONI GJITHASHTU