I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se mbështet drejtësinë për viktimat e luftërave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Deklaratën, Escobar e dha për “Klan Kosova” gjatë konferencës virtuale me gazetarë, mbi veprimet e Dhomave të Specializuara karshi ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Nuk do të komentoj për punën e Gjykatës Speciale. Ne e mbështesim Gjykatën Speciale. Ne mbështesim drejtësinë për viktimat e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë. Por unë do të shtyja gjykatën për pyetje specifike rreth të pandehurve dhe aktakuzave të veçanta’.
Por, siç është thënë, gjykata ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në sjelljen para drejtësisë shumë prej njerëzve që kryen krime lufte rreth ish-Jugosllavisë në vitet ’90 dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë’’, u shpreh ai.
Më herët, Escobar theksoi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Sipas tij, duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet, teksa shtoi se SHBA pret që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
LEXONI GJITHASHTU