Kosova pritet të strehojë përkohësisht rreth 2.000 shtetas afganë. Shifra është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një intervistë për Radion Europa e Lirë.
Sveçla bëri të ditur se qëndrimi i personave që do të vijnë nga Afganistani nuk do të jetë i gjatë dhe siç u shpreh ai, Kosova mund t’iu ofrojë atyre mbrojtje të përkohshme në kohëzgjatje prej një viti.
“Ne jemi duke biseduar me partnerët tanë për të parë nevojat e afganëve për strehim dhe pastaj për të kalkuluar edhe potencialin apo mundësitë e shtetit të Kosovës për t’i strehuar ata. Numri për të cilin po flasim, dhe gjithmonë po flasim për strehim të përkohshëm, është diku rreth 2.000”, u shpreh Sveçla.
Për ministrin Sveçla ende nuk ka një afat se kur pritet të mbërrijnë emigrantët afgan. Sa i përket strehimit Sveçla tha se janë disa lokacione të cilat janë duke u shqyrtuar. Por pa dhënë detaje se cilat janë ato. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se të gjithë personat do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi.
“Ata do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit. Janë disa shkallë të verifikimit nëpër të cilat ata do të kalojnë, qoftë nga bashkëpunëtorët tanë, aleatët tanë, qoftë edhe nga shteti i Kosovës. Absolutisht që po, edhe Kosova do të bëjë një verifikim”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës.
LEXONI GJITHASHTU:
- Shqipëria do të strehojë rreth 4000 afganë, thotë kryeministri Rama
- Soreca: BE e vlerëson gatishmërinë e Shqipërisë për të strehuar afganët