Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë do të rritet. Sipas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritja parashikohet të jetë me 9%, por që do të ketë edhe një kategorizim të konsumatorëve, në bazë të sasisë së energjisë që ata shpenzojnë.
Propozimi dhe rritja progresive, është pranuar edhe nga ekspertët, duke marrë parasysh rritjen e energjisë ne tregun ndërkombëtar.
Kundër kësaj rritje dhe propozimit te ZRRE ka dalë opozita e Kosovës, e cila thotë se është e padrejtë dhe diskriminuese.
“Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%. Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj”, thotë Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për medie të martën, tha se mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizmit të ekzekutivit do të vështirësojnë jetën e qytetarëve.
“Mungesa e përgjegjësisë, profesionalizmit, njohurisë dhe vullnetit për punë pro aktive e qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind. Pavarësisht tentimeve për të manipuluar me kalkulime që kinse rezultojnë në mos rritje të çmimeve, çmimet e faturës elektrike do të ngritën drastikisht. Këto i vështirësojnë jetën qytetarit krahas rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazë që ka përjetuar gjatë muajve të fundit”, tha Mustafa.
Nga ana tjetër, qeveria ka parashikuar edhe një fond prej 75 milionë eurosh të cilat do të shkojnë si subvencion për konsumatorët që do të shpenzojnë deri në 600 kW.
Për ekspertët, subvencionimi është veprim i gabueshëm, pasi këto para mund të shërbejnë për të zgjidhur krizën.
Kosova do të duhet të përballet me tarifat e reja pas 1 shkurtit.
LEXONI GJITHASHTU: