Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë mbështetjen e palëkundur të Amerikës, ka thënë ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ai gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari tha se kontributi i trupave amerikane në Bondstil është dëshmi e përkushtimit të SHBA-së ndaj KFOR-it për sigurinë e stabilitetit rajonal.
“Takimi me komandantin e KFOR-it gjeneralmajor Kajari, rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të SHBA-së për KFOR-in. Kontributi i trupave amerikane në Bondstil, një nga më të mëdhenjtë në mesin e aleatëve, është dëshmi e përkushtimit tonë ndaj rolit të domosdoshëm të KFOR-it duke siguruar stabilitetin rajonal”, shkruan diplomati amerikan në Facebook.
KFOR është një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO në Kosovë.
Misioni filloi në vitin 1999, si një operacion për mbështetjen e paqes dhe e merr mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjet ndërkombëtare.