Kosova pritet të rishikojë sot masat anti-COVID pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike dhe rritjes së numrit të infektimeve.
Në Ministrinë e Shëndetësisë do të mblidhen Komiteti për Koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, Komisioni Këshillëdhënës dhe të gjithë institucionet që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Aty priten rekomandime për të propozuar masa të reja, karshi situatës epidemiologjike, të cilat më pas pritet të miratohen nga kabineti qeveritar.
Gjatë dy javëve të fundit numri i rasteve pozitive me coronavirus në Kosovë ka ardhur në rritje. Të mërkurën në vend u regjistruan 2050 raste pozitive, shifër kjo më e larta që nga gushti i vitit të kaluar, kur ishin shënuar 2 236 raste për 24 orë. Aktualisht në Kosovë janë 7 266 raste aktive me coronavirus.