Gjashtë persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 3,917 raste të reja me coronavirus, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
Rastet e reja dolën pas testimit të 15,268 mostrave. Nga kjo shifër i bie se 25.65 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.
Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 617 pacientë.
Në Kosovë, aktualisht janë 28,751 raste aktive me coronavirus.
Deri më tani, të vaksinuar plotësisht me dy doza të vaksinës janë 803,638 persona.
Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër coronavirusit.
Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh.
Më herët gjatë ditës, opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se nuk ka ditur të menaxhojë situatën me pandeminë.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme lidhur me situatën me COVID-19 në Kosovë, deputetët opozitarë e kanë kritikuar Qeverinë edhe për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar vendimin e rreptësimit të masave anti-COVID dhe tha se ato nuk janë ekstreme.
LEXONI GJITHASHTU: