Opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se nuk ka ditur të menaxhojë situatën me pandeminë.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme lidhur me situatën me COVID-19 në Kosovë, deputetët opozitarë e kanë kritikuar Qeverinë edhe për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar vendimin e rreptësimit të masave anti-COVID dhe tha se ato nuk janë ekstreme.
“Masat anti-COVID që kemi marrë në Kosovë nuk kanë rënë nga qielli përkundrazi ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional duke filluar me rekomandimet e profesionistëve shëndetësor në komisionin këshillëdhënës për masat anti-COVID duke u pasur nga shqyrtimi i këtyre masave, nga përfaqësues të institucioneve kyçe për menaxhimin e pandemisë në komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19”, tha Kurti.
Ai tha se rritja e rasteve është e pashmangshme pavarësisht masave por qëllimi është të arrihet ngadalësimi i rasteve të reja.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, akuzoi Qeverinë e Kosovës për paaftësi në menaxhimin e situatës me COVID-19.
“Afër 30 mijë raste me COVID-19 vetëm gjatë këtij muaji. Ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë, është rezultat i qeverisjes së paaftë e cila nxjerr masa joadekuate. Qeveria po neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv dhe kujdesin në shkolla”, tha Zemaj.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është shqetësim i madh që Qeveria e Kosovës nuk po shqetësohet për situatën e rënduar me COVID-19.
“Kjo Qeveri ka bërë dy gabime themelore në menaxhimin e pandemisë: ose ka hezituar për të lexuar situatën për të injoruar atë, ose e ka lexuar situatën gabimisht. Kur hezitojnë të lexojnë, ata hezitojnë të veprojnë në kohë, e kur e lexojnë gabimisht veprojnë jo me plan, po me impuls”, tha Krasniqi.
Vetëm të mërkurën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se 4 mijë e 397 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Për shkak të rritjes së rasteve pozitive, qeveria vendosi masat kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi me 22 janar. Masat do të vazhdojnë të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.
Aktualisht në Kosovë janë 25 mijë e 458 raste aktive me COVID-19. Numri më i lartë i rasteve pozitive është në Komunën e Prishtinës.
LEXONI GJITHASHTU: