Opozita maqedonase nuk heq dorë nga ideja e referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç parashikohet në propozimin francez.
VMRO DPMNE para disa ditësh paralajmëroi se do të iniciojë procedurë për mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve për referendum. Këtë të enjte, organet e partisë do të diskutojnë dhe do t’i japin formë kësaj ideje.
“Do të bisedojmë për propozimin për referendum, të shohim çfarë lloj referendumi, kur do ta fillojmë procedurën dhe ku do të orientohemi. Të dëgjojmë çfarë mendojnë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë”, tha kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski.
Por përfaqësuesit e Qeverisë besojnë se nuk ka nevojë për referendum për këtë çështje. Sipas zv/kryeministrit për çështje evropiane Bojan Mariçiç, në aspektin përmbajtësor ndryshimet kushtetuese janë të lehta, pasi vetëm kërkohet përmendja e bullgarëve në Kushtetutë.
“Ne i kemi marrë mësimet nga e kaluara. Opozita këmbëngulte për referendum edhe për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Qeveria e Zoran Zaev e pranoi referendumin. Në fund VMRO DPMNE, pas disa vitesh kërkesë për referendum, vendosi ta bojkotojë, që la gjurmë të keqe në të gjithë procesin. Kjo për ne ishte një mësim” , u shpreh ai.
Sipas propozimin francez, Maqedonia e Veriut duhet të përfshijë pakicën bullgare në Preambulën e Kushtetutës para se të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE-në.
Vendi ka më shumë se 1 vit kohë, pasi fillimisht do të zhvillohet procesi i skriningut, ku Komisioni Evropian bën vlerësimin e nivelit të harmonizimit të legjislacionit vendor me atë evropian.
LEXONI GJITHASHTU