English

Rama dhe Balluku inspektojnë punimet në autostradën Elbasan-Lekaj, kur do jetë gati

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi këtë të mërkurë kantierin e autostradës Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit VIII, me një gjatësi totale prej 40.7 kilometrash.

- Advertisement -

Projekti konsiderohet investim i kategorisë A dhe zhvillohet në kuadër të një programi të gjerë infrastrukturor për vendin.

Gjatë inspektimit, Rama theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti, që financohet pjesërisht nga fondi i investimeve të Ballkanit Perëndimor. Ai deklaroi se, me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, 90% e mbështetjes financiare që aktualisht jepet si kredi e butë, do të kthehet në formë granti nga vendet kontribuuese. Po ashtu, theksoi përfshirjen e projekteve të reja si ai për hekurudhat në këtë kuadër mbështetjeje.

“Ky është një program masiv infrastrukture që po bëhet realitet falë pozicionit të ri që Shqipëria ka fituar në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe rritjes së cilësisë së projekteve. Aktualisht, 90% e mbështetjes financiare nga programet e BE për Shqipërinë jepet në formën e kredisë së butë. Megjithatë, me hyrjen në Bashkimin Europian, kjo mbështetje do të rritet ndjeshëm dhe do të transformohet kryesisht në grante. Deri tani kemi përfituar pak më shumë se 1 miliard euro, por për vendet anëtare të BE-së, 90% e mbështetjes jepet në formë granti nga vendet kontribuuese për vendet përfituese, siç do të jetë edhe Shqipëria,” – u shpreh kryeministri Edi Rama.

Ministrja Balluku bëri me dije se autostrada do të ketë nga dy korsi lëvizjeje në çdo drejtim dhe një korsi emergjence. Projekti është ndarë në tre faza, dhe aktualisht po punohet në fazën e tretë, nga Elbasani drejt Rrogozhinës. Sipas saj, 20 kilometrat e para të kësaj faze pritet të përfundojnë brenda një viti.

“Projekti është i ndarë në tre faza dhe aktualisht ndodhemi në fazën e tretë, që shtrihet nga Elbasani drejt Rrogozhinës. Kjo zonë ka një gjeologji lumore, e cila na lejon të avancojmë më shpejt me punimet. Kantieri është aktiv dhe punimet po vijojnë sipas planit. Besoj se do të arrijmë t’i përfundojmë brenda afateve të përcaktuara. 20 kilometrat e para të kësaj faze pritet të përfundojnë brenda një viti. Të dyja krahët e autostradës do të kenë nga dy korsi lëvizjeje, si dhe një korsi emergjence. Duke qenë se Korridori VIII ka parametra të lartë shpejtësie, ai do të mbetet në fokusin tonë kryesor” – u shpreh Balluku.

Autostrada do të kalojë përmes rajoneve të Elbasanit (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqinit (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karinë) dhe Kavajës (Sinaballaj, Rrogozhinë). Ajo nis në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, afër Rrogozhinës, me një shpejtësi të lejuar që varion nga 90 deri në 140 km/h.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?