Kryeministri, Edi Rama duke folur në Komitetin Kombëtar të Sigurisë, deklaroi se, Shqipëria është përgatitur për të përballuar dhe parandaluar coronavirusin në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Z. Rama duke iu referuar dhe OBSH, tha se “infodemia”, lajmet që përhapin panik për virusin, ka prekur bashkë me mbarë botën dhe Shqipërinë.
“Deri tani që flasim, në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit. Janë testuar deri sot, në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, – laborator reference i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për kryerjen e diagnozës së koronavirusit në vendin tonë, – 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar të gjitha negative. 17 individë të dyshuar për marrjen e virusit, që pas testeve rezultojnë të paprekur prej tij”, deklaroi Kryeministri.
Duke folur për masat, kreu i qeverisë tha se janë trajnuar 800 persona nga stafi mjekësor për parandalimin e coronavirusit dhe zbatimin e planit të masave. Sa i takon numrit të udhëtarëve që janë kontrolluar në pikat kufitare, Rama tha se bëhet fjalë për rreth 14 mijë persona.
Pasi deklaroi se, është siguruar stoku i pajisjeve për luftimin e viruseve viralë, Kryeministri shtoi se qeveria ka alokuar një fond prej 1 milionë dollarë për rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse. Ai kritikoi rolin e opozitës, duke thënë se është përpjekur haptazi për të përhapur panik dhe për të disinformuar publikun. Z. Rama iu referua rastit të pretendimeve për ngritjen e një karantine në Spitalin e Kavajës.
Kryeministri bëri të ditur se, si karantinë është caktuar Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtës në zonën e Durrësit, në rast nevoje. Ai theksoi se, nga verifikimet e OBSH është konstatuar përmbushja e kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë. Nga ana tjetër, z. Rama shtoi se, Spitali i Traumës dhe spitali “Shefqet Ndroqi” kanë dhoma izolimi për trajtimin e rasteve të konfirmuara me coronavirus.
“Në rastin e parë, të vendosjes së karantinës, ne kemi përcaktuar disponimin e strukturave akomoduese publike të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit, ku me OBSH-në është konstatuar përmbushja e të gjitha kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë”, deklaroi z. Rama.
Kreu i qeverisë u kërkoi qytetarëve që të kenë besim tek autoritetet dhe të mos përfshihen nga paniku që përhapet përmes lajmeve që nxisin një gjë të tillë. “97% statistikisht të të prekurve shërohen, por që nuk është thënë nga askush në të gjithë këtë infodemi. Nuk jemi përpara një mortaje që ka ardhur nga mesjeta për të fshirë popullatën nga faqja e dheut”, tha z. Rama më tej.
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se janë marrë masat për të siguruar trajtim spitalor për 100 deri në 150 raste të infektuar me coronavirus. Sa i takon karantinës, znj. Manastirliu tha se, do të jetë Shtëpia e Pushimit në Durrës, duke ndjekur rastin e Francës që ka vepruar në të njëjtën formë.
“Kemi siguruar kushtet për t’u përballur me skenarët që mund të na sjellë coronavirusi. Nuk do të jetë e lehtë përballja, por ne i kemi marrë masat. Element thelbësor është koha kur evidentohen rastet”, deklaroi ministrja.