Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të gjatë për mediat të mbajtur ditën e sotme pas mbledhjes së qeverisë, bëri thirrje që të mos neglizhohet asnjë masë nga ana e njerëzve për të minimizuar sa është e mundur kontaktet dhe lëvizjet, në mënyrë që të shmanget përhapja e mëtejshme e virusit, të cilin nuk ngurroi që ta quante një armik që ka hyrë tashme mes nesh.
Ai tha se do të ketë rritje pagash me 1000 euro në muaj dhe 500 euro në muaj për mjekët dhe infermierët gjatë periudhës që virusi është prezent. Rritje pagash për këtë periudhë parashikohet edhe për shoferët e ambulancave.
“Do të ketë rritje rrogash për mjekët dhe infermierët. Ata do të paguhen 1000 euro mbi pagën e tyre për të kontribuuar në këtë luftë. Nuk e përsëris fjalën luftë për asnjë zmadhim. Nuk e zmadhoj kërcënimin e kësaj epidemie, por nuk ka diskutim që një armik që ka kapacitetin të marrë jetë njerëzish është një armik. Ne do të bëjmë çmos që ta përballojmë si një armik dhe ta vrasim si një armik, duke zvogëluar plagët dhe dhimbjen.
Çfarë mund të jetë tjetër veçse luftë nëse në vendin fqinj qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë. Madje në luftë, kur nuk je në frontin e parë ka hapur edhe gjëra të tjerë. Në luftë, fronti i parë ka vetëm farmaci dhe ushqim, dhe një vend për të fjetur. Por që të mos shkojë puna deri aty unë u bëj thirrje të gjithëve që të kenë kujdes”, – tha kryeministri.
Kreu i qeverisë bëri me dije se skenarët për përballimin e situatës janë ndërtuar sipas fazave për t’iu përgjigjur dinamikës së shtrirjes së virusit.
“Por baza mbetet e njëjta, si në skenarin e parë, të dytin, të tretin, si në fillim si në mes, si kur urojmë sa më shpejtë, forca e goditjes nga virusi do të shkojë në rënie”, tha ai.