English

Rama në Berlin, Merkel mbështet Shqipërinë për negociatat: Duam të arrijmë një marrëveshje në mars

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se Gjermania do të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në Bruksel më 17 shkurt.

- Advertisement -

Këtë deklaratë znj. Angela Merkel e bëri gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu mbështetje ndaj Shqipërisë, ndërsa përshëndeti Konferencën e Donatorëve, që pritet të mbahet për mbledhjen e fondeve dhe rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

 “E ndiej veçanërisht të nevojshme që me rastin e këtij takimi të kujtoj tërmetin e nëntorit të vitit të kaluar. Shumë, shumë njerëz humbën shtëpitë, pati mbi 50 viktima dhe gëzohem që Komisioni Evropian ka thirrur në një konferencë donatorësh, më 17 shkurt, për të çuar përpara rindërtimin dhe në këtë konferencë donatorësh do të marrë pjesë edhe Gjermania.  Bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese, e megjithatë ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë”-tha kancelarja znj. Merkel.

Kancelarja gjithashtu foli edhe për procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian.

 “Ne duam që këto dy shtete të shkojnë drejt BE-së dhe duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së në mars për të filluar çeljen e negociatave me Shqipërinë, si edhe me Maqedoninë e Veriut.

Të dy vendet e kanë merituar. Këtë qëndrim e kemi pasur edhe në takimin e kaluar dhe tani do të punojmë me forcë që në mars të arrijmë rezultatin e dëshiruar.

 Nuk është vetëm në interes të këtyre vendeve por edhe në interesin tonë që këto vende të afrohen me BE-në. Kush e sheh hartën dhe i njeh bashkëvarësitë gjeopolitike, e di se është për të gjithë diçka e mirë, nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë anëtarësohen në BE. Dhe meqenëse Komisioni ri dëshiron të jetë një komision gjeopolitik, do të ketë më shumë arsye për ta çuar përpara këtë proces”, tha znj. Merkel.

Kancelarja e Gjermanisë gjithashtu në takimin që pati në Berlin me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama vlerësoi reformën në drejtësi, ndërsa inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me këtë ritëm.

“Dëshiroj të them në mënyre të qartë se në lidhje me reformën në drejtësi janë arritur shumë gjëra, dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në këtë formë që të përmbyllet. Kjo reformë ka një rëndësi qendrore për të ardhmen e Shqipërisë”-theksoi znj. Merkel.

Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama tha se ai kishte ardhur në Gjermani për të folur për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që ka sot Shqipëria për t’u ri ngritur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të vitit 2019.

Shefi i qeverisë shqiptare, z. Edi Rama teksa falënderoi Gjermaninë për gatishmërinë e treguar për të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve, u ndal edhe tek çështja e negociatave me Bashkimin Europian.

“Kemi diskutuar dhe për perspektivën e integrimit të Shqipërisë dhe bashkëpunimin rajonal, ku roli i Gjermanisë ka qenë i jashtëzakonshëm me procesin e Berlinit. Në fund, dëshiroj të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën si ka nisur puna e Komisionit Evropian, të them që një dimension më i qartë do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe të gjithë rajonin”- tha z. Rama.

Presidenti i Republikës z. Ilir Meta ka përshëndetur angazhimi e Kancelares së Gjermanisë, znj. Angela Merkel për angazhimin që po tregon për rrugën evropiane të Shqipërisë. Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook” , Kreu i Shtetit  thekson se, zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë.

“Përshëndes angazhimin e përsëritur të Kancelares Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë!”, -shkruan Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?