Kryeministri Edi Rama në një komunikim me publikun ‘live’ nga Facebook, bëri me dije se qeveria ka ndihmuar 14 428 familje në nevojë dhe do të vijojë të ndihmojë edhe të tjerë në situatën e krijuar në vend nga coronavirusi.
Teksa iu përgjigj kritikëve lidhur me masat ekstreme të ndërmarra nga qeveria për frenimin e përhapjes së sëmundjes, kryeministri tha se duke nisur nga nesër, me orarin e ri të lëvizjes nga ora 5:00-13:00, forcat e rendit nuk do të tolerojnë më asnjë grumbullim apo xhiro, të cilat siç tha janë të paligjshme dhe të rrezikshme.
“Nesër në 5 të mëngjesit do rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe deri në 1 të drekës do keni 8 orë për të bërë pazar. Shoh që ankohen për oraret, keq me 2 orare keq me 1. Mesa duket, nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë as për qejf, as për komoditetin e njerëzve, por janë të imponuara nga lufta, një luftë që kërcënon të marrë mijëra vetë me vete. Çfarë lidhje kanë oraret me grumbullimin në tregje dhe mosrespektimine radhës për të mbaruar punë?
Disa thonë mbylleni fare për dy javë, por si do ja bëjmë për dy javë nëse s’kemi mundësi të bëjmë pazar të paktën 1 herë në 2 ditë. Pastaj, pse mos të respektojmë rregullat dhe si të mos na mjaftojnë 8 orë të mbaruar punët tona? Nuk duam të zgjohemi shpejt dhe duam të turremi të gjithë në orën 10-12, kjo nuk shkon fare.
Nesër e më tej forcat e rendit nuk do tolerojnë askënd që s’do ta kuptojë se xhirot janë të paligjshme, të rrezikshme e të patolerueshme”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri informoi se qeveria është duke punuar për një sistem kontrolli elektronik të lëvizjeve, por kjo do edhe pak kohë, ai ndaj iu bëri thirrje të gjithëve të adatohen me orarin e ri.