Kryeministri Rama paralajmëroi se ditët në vijim do të bëhet edhe miratimi i paketës kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende procesin e rivlerësimit.
Deklaratat e kreut të qeverisë u bënë gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të repartit RENEA, ku një pjesë të diskursit të tij e zuri edhe reforma në drejtësi, që është edhe një nga shtatë prioritetet e vitit 2020.
“Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet një pastrim i madh në pallatin e drejtësisë, por koha e nevojshme për të bërë këtë pastrim dhe për të vënë në funksion të plotë nuk është fort e shkurtër. Në këtë fazë tranzicioni mes një sistemi që po shembet dhe një që po ngrihet, shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë”, tha kreu i qeverisë.
Organizata kriminale sipas Edi Ramës, është vetë brenda prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ndaj tyre pati edhe një paralajmërim direkt.
“Ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre dhe paralelisht me ta ne do të bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla [as murit të çdo anëtari në KÇK që do të marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, u shpreh kryeministri.
Inaugurimi i repartit të ri, RENEA u bë në 107-vjetorin e Policisë së Shtetit, ku fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Ardi Veliu dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i cili garantoi mbështetjen ndaj uniformave blu.