Monumenti i Skënderbeut në qendër të Tiranës është mbuluar me skela, një veprim që ka shkaktuar një mori polemikash në rrjetet sociale.
Pas shumë spekulimesh dhe diskutimesh, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar të vërtetën dhe arsyen e këtij mbulimi.
Sipas Ramës, mbulimi i monumentit ka ndodhur sepse po merren format për realizimin e një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ në Paris.
Kryeministri theksoi se ky projekt është pjesë e një përpjekjeje diplomatike të suksesshme, ku autoritetet franceze kanë miratuar vendosjen e monumentit të Heroit Kombëtar të Shqipërisë në një shesh të Parisit, të emëruar për nder të tij.
Sipas tij kjo iniciativë diplomatike është një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, duke dëshmuar ndikimin dhe respektin që ka fituar vendi në arenën ndërkombëtare.
Rama thotë se pas përfundimit të punimeve, monumenti i Skënderbeut do të zbukurojë një nga sheshet më të njohura të Parisit, duke i dhënë një dimension global këtij simboli të historisë dhe krenarisë kombëtare.
Reagimi i plotë i Ramës
Qarkullon një “kua-kua-kua” këmbëngulëse në kënetën sociale për mbulimin e monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohet një seri mallkimesh për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracione kundër Atletit të Krishtit gjatë Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.
Arsyeja është shumë e thjeshtë, por gjithashtu e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skela, sepse po merren format për realizimin e një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
Po po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e tij!
Pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, dhe pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.
Puna do të vazhdojë për disa ditë dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërthyer që ngrihen në kënetën e “kua-kua-kuave” do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tjetër tradhëti për të më akuzuar.
LEXONI GJITHASHTU:
- Lista e kandidatëve të PS, Rama mbledh sot drejtuesit politikë në qarqe
- Linda Rama për Forbes: Mësimet më të mëdha i nxorëm nga gabimet tona